Lajme Arkiva 2003

Opozita ka përcaktuar një vendim të vetëm të mos pranoj projektligjin e qeverisë për pronat duke e cilësuar atë një draft antikushtetues.

Kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, drejtues të shoqatave të pronarëve janë mbledhur në një tryezë të përbashkët dhe pas diskutimeve të gjata është rënë dakord të hartohet një rezolutë e përbashkët që do i paraqitet jo vetëm parlamentit, por edhe presidentit të Komisionit Evropian Romano Prodi gjatë vizitës së pritshme në Tiranë.

Sipas drejtuesve të opozitës, projektligji i paraqitur për kompensimin dhe kthimin e pronave është i papranueshëm sepse nuk njeh të drejtën kushtetuese të pronarëve.

Qëndrim të ashpër ndaj draftit qeveritar mbajtën edhe demokratët të cilët edhe pse nuk janë dakord me abrogimin e ligjit 751 për tokën, kanë akuzuar qeverinë për masakrim të pronave gjatë këtyre viteve.

Bamir Topi: Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është në koherencë të plotë me partitë e djathta për të mos bërë një realizim të tipit demagogjik ku do ta rikthente sërish problemin e pronës në qendër të konflikteve sociale në Shqipëri që të mos bëjë rolin e indiferentit ku njerëzit vriten për pronën, ku njerëzit janë të neglizhuar për pronën, kur strukturat shtetërore bëjnë pazare me pronën e tjetrit, kur në darkë ti je pronar dhe të nesërmen gdhihesh i shpronësuar dhe të gjitha këto bëhen nën hundën e ekzekutivit nga njerëz të kompromentuar, nga njerëz të cilët për fat të keq janë edhe data base e realizimit të një projektligji i cili që në fillim është  i cenuar dhe i kompromentuar.

Ndërkohë projektligji i hartuar nga qeveria pritet të filloj shqyrtimin në parlament pas 3 javësh./tvklan.al