Futbollistët e Partizanit i kanë dhënë besimin presidentit të klubit Albert Xhani se do të qëndrojnë derisa situata e rëndë financiare të ndryshojë.

Që nga Athina Xhani ka komunikuar me futbollistët, të cilët bashkë më trajnerin do të vazhdojnë kampionatin. Presidenti i klubit të kuq ka konfirmuar dhe njëherë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

Albert Xhani: “Kam pasur kontakte me të gjithë lojtarët e mi, ku u kam kërkuar që të bëhen pjesë e zgjidhjes së kësaj situate dhe ata më kanë mirëkuptuar dhe më kanë besuar së shpejti neve do të bëjmë të pamundurën që lojtarët të likuidohen, që situata të ndryshojë dhe nuk do të thotë as dorëzim, nuk do të thotë as largim dhe as dorëheqje. Problemet tona mund të zgjidhen me ditë, mund të zgjidhen dhe me muaj, por e rëndësishme është që do të zgjidhjen. Unë do të vazhdoj të paguaj për Partizanin, siç kam paguar dhe vjet, e në qoftë se ka biznesmen të mëdhenj në Shqipëri dhe mendoj se ka me shumicë ata derën e kanë të hapur dhe mund të flasin me presidentin e Partizanit të vendosin kushtet se si mund të bashkëpunojmë dhe jo të njoftojnë qe presidenti i Partizanit ka bërë dorëheqjen dhe është zgjedhur president një alpinist, i cili mund ta çojë në majën e maleve Partizanin.”/tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe