Partizani është padyshim skuadra për tu mposhtur në Superligën shqiptare. Të kuqtë treguan forcën edhe në javën e 14-të, teksa regjistruan fitoren 1-0 ndaj Laçit. Sukses që mban të paprekur kolonën e humbjeve të Veselinovic në stolin e kryeqytetasve, duke shënuar rezultatin e 13-të pozitiv në këtë sezon.

Ecuri që e ka ndihmuar Partizanin për të kryesuar e vetme renditjen e kampionatit dhe mbajtur trendin e rezultateve pozitive në 11 ndeshje pa humbje. Disfata e vetme në këtë sezon është pikërisht në javën e parë ndaj Vllaznisë, rivali më i afërt në renditjen momentale. Me 2 pikë më pak se të kuqtë, shkodranët fituan ndaj Teutës në javën e 14-të.

Në tabelën e golashënuesve mungoi Bekim Balaj, goleadori i kampionatit me 8 realizime. Sukses edhe për Egnatian, me kampionët që po mbajnë ritmin e Partizanit, duke regjistruan ndeshjen e tretë pa humbje. Rrogozhinasit përforcojnë pozitën në vendin e tretë, distancuar me 4 pikë nga Partizani.

Në zonën “final-four” gjendet edhe Dinamo. “Nëndetësja blu” ngeci në barazim 2-2 ndaj Skënderbeut, një 90 minutësh që ishte edhe ai që prodhoi më shumë gola, praktikisht 4 nga 12-të në total. Tirana iu rikthye barazimeve, këtë herë 1-1 ndaj Elbasanit për të koleksionuar të nentin barazim në 14 javë.

Tirana qëndron shumë pranë zonës së ftohtë të renditjes, me 15 pikë, dy më shumë se Skënderbeut i zonës play-out dhe tre nga Laçi që për momentin, së bashku me Bylisin nëse kampionati do mbyllej këtu do të zbrisnin në Kategorinë e Parë.

Klan News