Nga dita e sotme, Kryeministri Rama thotë se hapet një kapitull i ri progresi për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me spitalin izraelit “Sheba Medical Center” që nga sot është partneri i Qendrës Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama thotë se ambicia e këtij partneriteti është që QSUT të ngrejë në standarde evropiane dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit. Më tej, Rama shprehet se objektivi është që në 5 vitet e ardhshme, QSUT-ja të kthehet në një qendër ekselence teknologjike.
Edi Rama: Rikthehemi me garancinë që na jep një partneritet strategjik në një nga qendrat më të shquara të ekselencës në botë, spitalin prestigjioz të Izraelit që është rankuar i 9-ti në klasifikimin e përgjithshëm të spitaleve të gjithë botës. Jam optimist i transformimit të QSUT dhe të Spitalit Onkologjik në një pasqyrë kuptimplotë të një shërbimi shëndetësor ekselent në Shqipëri sepse ky nuk është një shkëmbim rastësor eksperience, por një aleancë strategjike e bazuar në mirëkuptimin se krah për krah me mjekët e spitalit ne do të arrijmë të krijojmë një sinergji që do ta bëjë në këtë periudhë disavjeçare QSUT-në 2030, një shëmbëlltyrë ekselence për Shqipërinë dhe të gjithë rajonin. Mirënjohës Presidentit të Izraelit që u tregua i gatshëm të na vendoste këtë kontakt.
Si ambicie nga kyt partnership, ne duam që QSUT të ngrejë në standarde evropiane dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare nivelin e menaxhimit. Ajo që kemi diskutuar me profesorin dhe me ekipin e tij, ishte që në këndvështrimin e tyre, pasi ata bënë një vizitë të detajuar dhe analizuan situatën, QSUT ka një brum profesionistësh me të cilin mund të bëhet një bukë i nivelit më të lartë. Ajo që i duhet qendrës është një nivel tjetër dhe një kulturë tjetër menaxhimi që ka të bëjë me një traditë që neve na mungon dhe tradita nuk mund të krijohet sepse thjesht ti ke dëshirë dhe sado të bësh, tradita do kohën e vet. Mangësia e traditës mund të adresohet me aleanca të kësaj natyre. Çdo ditë do të zbatojmë një strategji të ngritjes së qendrës në një nivel tjetër. Në jetën e përditshme të spitalit do të ketë një sinergji të vazhdueshme. Përgjithmonë do i jemi mirënjohës miqve izraelitë.
Një aspekt tjetër është ai i teknologjisë dhe investimeve në teknologji. Plan strategjik investimi në teknologji, ku Izraeli është një lider botëror. Spitali Sheba është një nga pararojat e zhvillimeve teknologjike në mjekësi. Edhe plani i investimeve në spital do të jetë i asistuar nga këshillat e miqve tanë në Izrael. E treta është nga njëra anë ndihma strategjike për burimet njerëzore të spitalit, për mjekët, për administratorët, për të gjitha nivelet e punës. Ndihma direkte për pacientë të caktuar duke pasur parasysh për një trajtim që duhet bërë gjetkë. Ka ndërhyrje që mund të bëhen në shumë pak vende të Evropës dhe të botës dhe jam mirënjohës për një angazhim të spitalit Sheba për të trajtuar rastet e rënda për fëmijët. Këto ndërhyrje do të bëhen edhe me përfshirjen e mjekëve të QSUT-së që do të jenë të pranishëm.
QSUT në 5 vitet e ardhshme, një qendër ekselence teknologjike. Ky është objektivi. Kjo është plotësisht e mundur sepse shumë gjëra që i kanë në spitalin e tyre, mund t’i vënë në dispozicionin tonë. Për blerjen e barnave dhe menaxhimit të tyre, ne do të krijojmë një praktikë shumë të mirë ndërkombëtare këtu. Në 5 vitet e ardhshme, ne ta krijojmë këtu kulturën e menaxhimit të kompleksit spitalor.
/tvklan.al