Trupi gjykues 4 ish eprorët e UÇK i ka shpallur fajtorë për veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile, sipas nenit 142 të kodit penal të Jugosllavisë. Rustem Mustafa është dënuar me 17 vjet burg, Nazif Mehmeti me 13 vjet, Latif Gashi me 10 vjet dhe Naim Kadriu me 5 vjet burg. Ata janë akuzuar për kryerjen, urdhërimin, dhënjen e ndihmës, kryerjen nëpërmjet mosveprimit, veprimi në bashkëpunim me të tjerë dhe pjesmarrjen në një projekt të përbashkët kriminel me qëllim kryerjen e krimeve të luftës si rrëmbim të paligjshëm, mbajtje të paligjshme, rrahje, torturim dhe në fund dhe vrasjen e civilëve Shqiptarë të Kosovës.

Seanca e sotme gjyqsore sikurse të gjitha seancat e mëparshme kanë qënë të mbylluara për kamerat e televizioneve. 7 avokatët mbrojtës të tyre aktgjykimin e vlerësuan të padrejtë, ndërësa dënimet i quajtën drakonike. Ata kanë paralajmëruar ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës. Nekibe Kelmendi sëbashku me Mexhid Syla dhe Bajram Tmava ishin avokatët mbrojtës të Latif Gashit.

Nekibe Kelmendi: “Unë konsideroj se me asnjë provë nuk është vërtetuar se këta të akuzuar apo se UÇK në përgjithsi ka qënë organizatë kriminale, se ka pasur një plan kriminal për të kryer vepra penale të krimit të luftës”.

Tom Gashi avokat mbrojtës i Naim Kardiut konsiderojë se dënimi është tepër i rëndë dhe katastrofal. Ai sëbashku me Hamit Gashin ishin avokatët mbrojtës të të akuzuarit Naim Kadriu.

Tom Gashi: “Së pari unë mendoj se asnjëri prej klientëve tanë nuk ka mundur të gjykohet me ligje të cilat janë zgjedhur para një shekulli, saktësisht me ligjin penal të ish Jugosllavisë socialiste, i cili është nxjerrë në vitin 1977”.

Sipas Fazli Bala, avokat mbrojtës i Nazif Mehmetit, në këtë rast drejtësia ndërkombëtare ka dështuar.
Fazli Bala: “Mendoj se akt gjykimi i sotshëm nuk është i drejtë dhe i ligjshëm përsa i përket vërtetimit të fakteve dhe vendimit për dënim”.

Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Naim Kadriu janë arrestuar me 28 Janar të vitit të kaluar, ndërësa Rustem Mustafa, Remi, rreth 6 muaj më vonë, pra me 11 Gusht. Koha e qëndrimit të tyre në paraburgim do të llogaritet si pjesë e dënimit të shqiptuar në gjykimin që kishte filluar me 17 Shkurt dhe gjatë të cilit ishin dëgjuar rreth 50 dëshmitarë dhe mbajtur 64 seanca gjyqsore./tvklan.al