Pak ditë më parë “Stop” ishte në Tropojë, Fierzë pasi qindra banorë të kësaj zone, denoncuan ndërtimin e një guroreje dhe fabrike asfalti në një zonë të banuar turistike disa metra afër rrugës, ujësjellësit dhe Lumit të Valbonës. Banorët thanë, se pronari i këtij biznesi është djali i xhaxhait të kryetarit të Bashkisë Rexhë Byberi.
Kjo industri sjell dëm edhe për agroturizmin, që funksionon prej vitesh në këtë zonë, Adora. Pronari i saj, Paulo Gjoka tha, se kjo industri i sjell regres në biznesin e turizmit. “Stop” tregoi një tjetër detaj, që shton dyshimet për biznesin e gurores dhe asfaltit në Fierzë, falsifikimin e adresës së këtij biznesi.
Në letra shkruhej, se do të ndërtohej në Luginën e Kolgecajve, kur në terren do të ndërtohet në Luginën e Fierzës. Pasi u largua grupi i xhirimit i “Stop”, të nesërmen Këshilli Bashkiak Tropojë miratoi me 11 vota ndërtimin e këtij biznesi.
Emisioni “Stop” informoi institucionet përkatëse, për këtë projekt, Ministrinë e Infrastrukturës, të Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.
Në përgjigjen e kthyer nga Ministria e Infrastrukturës dhe Mjedisit thuhet, që ky aktivitet nuk lejohet të ndërtohet dhe nuk është pajisur me leje zhvillimore dhe mjedisi./tvklan.al