Teksa ethet e listës kanë kapluar çdo deputet, Edi Rama iu drejtua grupit të tij parlamentar për t’ua bërë të qartë se për ta, që tashmë e kanë një karrige deputeti, qoftë burrë apo grua, nuk do të kenë një vend në listë të sigurt.
“Luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe nga Partia Socialiste”, tha Edi Rama.
Të vetmit që e kanë të garantuar listën e mbyllur do të jenë drejtuesit e qarqeve, për disa arsye që kryeministri i renditi para grupit parlamentar.
“Nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë pasi drejtuesit politikë do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vete dhe me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi vetëvetiu dhe do të ç’orientohej e gjithë skuadra”, tha Rama.
Në listën e mbyllur me shumicë do të jenë figura të reja, që sipas kryesocialistit do t’i bëjnë një transfuzion gjaku partisë.
“Nëse ka një gjë që na ka mbajtur gjithmonë në kalë është se kemi patur gjithmonë kapacitetin të ndryshojmë, pa pritur që të na hedhin njerëzit në kosh, siç na hodhën në 2005-sën, që pastaj ne të fillojmë të ndryshojmë”, tha kreu i qeverisë.
Vetes, Edi Rama duket se nuk do t’i rezervojë asnjë vend në listën e garuesve.
“Vendimin për veten time nuk e kam marrë akoma plotësisht se mund të mos jem fare në listë, duke qenë deputet i të gjithëve dhe për mos i zënë vendin askujt”, tha Edi Rama.
Sipas kryeministrit, 11 Maji nuk vulos vetëm fatin e Partisë Socialiste, por edhe të integrimit të Shqipërisë në BE.
“Kjo është dritarja e hapur që Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet, e ne nuk do të lejojmë që ta humbë si mundësi. Nëse ne do humbasim muaj, dritarja do mbyllet”, tha kryesocialisti.
Vetëm partia e tij, sipas Edi Ramës mund të flasë me botën, NATO-n, apo Bashkimin Europian.
“Nuk ka kapacitete të tjera jashtë, kapacitete të Partisë Socialiste që mund të flasin me botën sot. Në momentin kur ne bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, se kush qeveris në Shqipëri do të jetë relativisht e rëndësishme për ata”, tha Edi Rama.
Opozitën e konsideroi kënetë, që kurrsesi nuk mund të japë garanci për integrimin e vendit.
Klan News