18 persona kanë rënë në prangat e policisë gjatë një operacioni të zhvilluar kundër kriptomonedhave.
Të arrestuarit janë mes 20 urdhër-arresteve të lëshuara nga Gjykata e Tiranës, pas dyshimeve se janë të përfshirë në aktivitetin e këmbimit të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas, si pjesë e një skeme pastrami parash.
Mes të arrestuarve janë dy maqedonas, por dhe pronarë të disa pikave të këmbimit valutor.
Ervina Gjana, drejtoreshë e hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, u shpreh se rrjeti vepronte në Tiranë dhe Shkodër.
“Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme. Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese nëpërmjet grupeve kriminale”, tha Drejtoresha e krimit kibernetik në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana.
Gjatë operacionit policia ushtroi kontrolle të shumta në disa zona, si Vorë, Kamëz, Fushë-Krujë, Mëzez, Kashar, Fresk dhe në lagje të tjera të kryeqytetit.
Tv Klan