Në 112-vjetorin e Pavarësisë rreth 350 grupe artistike morën pjesë në edicionin e dytë të Paradës Shqiptare e cila u mbajt në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Parada u hap me një moment emocionues, nga aktori i madh Reshat Arbana, i cili recitoi poezinë e Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë”. Grupet e pjesëmarrësve me flamuj kuqezinj, nga qytete e treva të ndryshme paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike.
Në pritjen e organizuar para Paradës me unionin e bashkive shqiptare në rajon si dhe përfaqësuesit nga komunat arbëreshe, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj theksoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit mes shqiptarëve kudo që ndodhen.
“Sot nuk kërkohet, ashtu si Isa në vakt, që të kalojmë malet. Sot nuk kërkohet që të marrim pushkën dhe të luftojmë. Sot jemi në ditët tona më të mira, jo në ditët tona perfekte, por në ditët tona më të mira. Shqipëria është një vend që do të jetë ndoshta anëtari i ardhshëm i BE-së, Kosova është e lirë dhe e pavarur, sot kemi mundësi të lëvizim dhe të takohemi me njeri-tjetrin, mundësi që nuk i kemi pasur më përpara.”
Shumë shqiptarë të ardhur nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia e deri te Amerika e largët shprehën krenarinë për këtë bashkim të shqiptarëve në Tiranë.
“Jemi shumë krenarë, kemi sjellë gjithë këto bukurosha nga Amerika me veshje kombëtare. Mezi kanë pritur, kanë pasur një emocion të jashtëzakonshëm. Jemi të gatshëm t’i tregojmë gjithë botës se shqiptarët janë të bashkuar.”
“U uroj gjithë shqiptarëve Festën e Flamurit, ju uroj të jemi sëbashku jo veç në festa, por çdo event.”
“Të lumtur që jemi këtu, jemi pjesë e Policisë së New York. Unë kam lind në Amerika, ka 40 vjet. Babai jonë e nana na kanë rritur me Gjuhën Shqipe.”
“Jetoj në New Jersey, kemi që prej vitit 1982, por nuk harrojmë nga jemi.”
“Unë vij shpesh në Shqipëri dhe është kënaqësi se këto dy vitet e fundit ka marrë një hov të jashtëzakonshëm, është kënaqësi t’i shohësh shqiptarët duke festuar.”
Ceremonia kulmoi me ngritjen e flamurit në sheshin Skënderbej në Tiranë.
Klan News