PBDNJ ka akuzuar qeverinë se ka shkarkuar nga postet drejtuese 18 përfaqësues të saj në nivele të ndryshme të administratës. E ka bërë publike këtë akuzë në një konferencë për shtyp përmes Leonard Solis, ish-ministër i qeverisë socialiste.
Leonard Solis: “Linçime të tilla, ekzekutime të tilla me pushkatim administrativ, nuk i bëjnë një nder një shteti ligjor në shekullin XXI dhe për Evropën ku aspirojmë të shkojmë. Shkarkimi i 18 drejtorëve, me një të rënë të lapsit pa asnjë motivacion pa asnjë individualitet, pa asnjë aktivitet në punë, brena një minuti është një veprim që rrezikon seriozisht shtetin dhe do të thosha që është një premtim, një ogur i keq edhe për të ardhmen.”
Por në këtë konferencë, zoti Solis nuk përmendi se këto emërime të përfaqësuesve të saj në administratë janë pjesë e marrëveshjes qeverisëse të partisë së tij më PD dhe me një logjikë të thjeshtë, kjo lë të kuptosh se shkarkimet, nëse me të vërtetë janë bërë, janë pjesë e marrëveshjes së prishur nga vetë PBDNJ, e cila u pozicionua në koalicionin e majtë në këto zgjedhje.
Nuk kanë qenë të pakta rastet në këto katër vite, ku parti të koalicionit qeverisës i kanë kërkuar me ngulm dhe publikisht subjektit më të madh të tij, që të përfaqësohen në nivele ministrash, zëvendësministrash apo drejtorësh ne administratën publike.
Zoti Solis e quajti shkarkimin e përfaqësuesve të PBDNJ-së si “pushkatim politik”, por ndoshta harroi të thoshte, se edhe emërimi i tyre ka qenë “shul politik”, rast për të cilin askush në PBDNJ nuk e ka ngritur zërin.
Tha se shkarkimi është bërë pa asnjë motivacion, po jo se motivi i emërimit të tyre ka qenë një marrëveshje politike, tashmë e prishur pa asnjë motiv nga vetë kjo parti, e cila pretendon të ketë përfaqësuesit e saj në një tjetër qeveri, nëse e majta fiton zgjedhjet./tvklan.al