Tenderohet 99% e fondit limit pa garë
Partia Demokratike ka vijuar akuzat kundër qeverisë për procesin e rindërtimit në zonat e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Sot nga Durrësi, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, tha se qytetarët përveç vështirësive që po kalojnë po durojnë dhe propagandën e qeverisë dhe bashkisë së Durrësit.
“Premtimet e mëdha se Durrësi do të rindërtohej shumë shpejt, se askush nuk do t’i shpëtonte përgjegjësisë, se banorët do të kishin shtëpitë e humbura shumë shpejt, rezultuan një mashtrim i frikshëm dhe i pamëshirshëm. Sot, një vit pas tërmetit të tmerrshëm të 26 nëntorit, Durrësi është totalisht i braktisur. Nuk ka as edhe një ndërtim të vetëm të mbaruar. Zero!”, shtoi ajo.
Më tej ajo akuzon qeverinë se ka lënë pa shtëpi qytetarët dhe hedh dyshimet se fituesit e tenderave janë paracaktuar.
“99.1 % e fondit limit të akorduar për rindërtimin në Durrës do të thotë se gjithçka është e paracaktuar, nuk ka garë të vërtetë, nuk ka cilësi, nuk ka shpejtësi në ndërtim. Do të thotë edhe shumë muaj të tjerë me qira, pa shtëpi, sepse këta që qeverisin janë një shpurë me mafiozë që po vjedhin qytetarët më të dëmtuar.
Dilni dhe shpjegojuni familjeve pse janë akoma mes 4 rrugëve? Pse u deshën 7 muaj për disa dokumente dhe 2 muaj të tjerë për të hapur një tender shumë të dyshimtë? Pse nga 21 milion euro të akorduara, vetëm 1/3 e shumës është vënë në dispozicion të rindërtimit të pallateve të dëmtuara? Faturën e kësaj kasaphane me fondet do ta paguajnë në 25 prill, “Hajdutët e Fatkeqësisë” me në krye Edi Ramën”, thekson ish-deputetja./tvklan.al