“Vetëm ti dhe Ministria e Jashtme Ruse flisni për Shtëpinë e Verdhë”
Për Partinë Demokratike skema e ngritur ndaj kreut të opozitës ra poshtë përmes dëshmitarëve që përgënjeshtruan përfshirjen e Lulzim Bashës në dosjet ndaj UÇK-së.
“E gjithë skema jote e mashtrimit që ke ngritur deri më sot kundër Lulzim Bashës, u rrëzua. siç pohoi edhe miku yt Baton Haxhiu në Opinion, pretendimi se Lulzim Basha ka qenë i pranishëm në arrestimet e komandantëve të UÇK-së është gënjeshtër.”
Selia blu akuzoi kryeministrin Rama se po keqpërdor Kosovën dhe luftën ndaj UÇK-së për të mbyllur skandalet dhe dështimin e qeverisë në përballjen me krizën e COVID-19.
“Mjaft e keqpërdore Kosovën! Sot ia ke borxh Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit gjithë ç’ke sajuar. Ditën që ata përballeshin me akuzat e Vuçicit, në Hagë ti firmose me të marrëveshje. Ia ke borxh Kosovës dhe shqiptarëve përgjigjen, pse vetëm ti dhe Ministria e Jashtme e Federatës Ruse flisni akoma për Shtëpinë e Verdhë. Edi Rama, mjaft e dëmtove Kosovën, mjaft e bëre pis luftën e UÇK-së për të fshehur dështimet e tua”.
Më herët edhe kreu i demokratëve Lulzim Basha reagoi duke i cilësuar trillime akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas Bashës, kryeministri përmes fabrikimit të mashtrimeve, kërkon të heqë vëmendjen nga kriza që po kalon shëndetësia dhe ekonomia si pasojë e keqqeverisjes.
Tv Klan