Ndryshe nga Kryeministri Rama që e sheh veten si shpëtimtar të integrimit europian të shqiptarëve, Sali Berisha pohon të kundërtën.

“Unë ju garantoj ju, se me këto lidhje të tmerrshme të qeverisë me krimin, për Shqipërinë me Edi Ramën, anëtarësimi në BE do të jetë një horizont që largohet me shpejtësi. Këtë proces do e kompletojë PD në kohën më të parë të mundshme”, tha Berisha.

Sikundër Rama edhe Berisha nuk harron të merret me kundërshtarin, teksa të dy vijonin paralel komunikimet në rrjetet sociale.

“Grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda SPAK-un, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj”, tha Berisha.

Foli për entuziazëm dhe fitore në 11 maj, por kur pyetet sesa mandate do marrë jep këtë përgjigje.

“Do të jetë një fitore e thellë e koalicionit për Shqipërinë Madhështore”, tha Berisha

Teksa akuzoi kryeministrin se në korrik të 2014-ës reformën territorial e bazoi në manipulime elektorale, Berisha premtoi rishikimin e saj pas ardhjes në pushtet.

“Reforma territoriale që u bë e tëra në funksion të manipulimeve elektorale të Edi Ramës, është faktuar një reformë shkatërrimtare, pasi ajo largoi të gjitha shërbimet e domosdoshme dhe jetike për qytetarët”, tha Berisha.

Drejtësia është një tjetër reformë e paralajmëruar prej tij, teksa sërisht iu rikthye akuzave për burgosje pa prova e fakte ndaj drejtuesve të opozitës.

“Një vend me drejtësi politike është diktaturë, në këtë kontekst bashkë me Komisionin e Venacias ne do të ndërmarrim procesin e riformimit të sistemit të drejtësisë”, tha Berisha.

Pavarësisht non-gratës nga SHBA, Berisha premton lehtësira sa i përket udhëtimeve përtej oqeanit për shtetasit shqiptar.

Tv Klan