Pas strukturave drejtuese në qendër, kërkesa për anulimin e zgjedhjeve dhe shpalljen e pavlefshme të garës për kreun e Partisë Demokratike ka zbritur edhe në bazën e demokratëve.
130 anëtarë të kësaj dege kanë firmosur një peticion përmes të cilit kërkojnë që të ndalet ajo që ata e cilësojnë si pengmarrje e Partisë Demokratike.
Sipas tyre gara e nisur nga kryetari i vetëngrirë Basha është një farsë, e për pasojë të gjitha aktet e nxjerra prej tij dhe dy vartësit Paloka e Spaho janë antistatutore.
Në peticion thuhet se zgjedhjet e imponuara, përjashtuese, e konfliktuale mund të çojnë në një ndarje të re politike me pasoja afatgjata për opozitën. Baza demokrate në Korçë shprehet se nuk do ta lejojë një skenar të tillë, duke paralajmëruar përshkallëzim të aksionit politik.
Ky qëndrim i demokratëve të Korçës vjen pas atij të grupit për mbrojtjen e statutit, i cili kërkoi në mbledhjen e kryesisë, dorëheqjen e Lulzim Bashës, shtyrjen e zgjedhjeve në parti dhe bërjen e analizës për humbjen e thellë në 25 qershor.
Por kjo kërkesë e mbështetur nga 11 anëtarë u rrëzua nga 13 vota të mbështetësve të Bashës.
Shkelje flagrante të statutit e kanë cilësuar procedurën e nisur për kreun e ri të demokratëve edhe edhe ish-ministra e deputetë të kësaj force politike, mes të cilëve ish-nënkryetari Astrit Patozi, i cili refuzoi të bëhej pjesë e zgjedhjeve që ai konsideron si farsë, pasi Basha refuzoi kushtet e tij për një garë të ndershme e të barabartë. TV KLAN