Partia Demokratike akuzoi sot Ministrinë e Energjisë se në kundërshtim me ligjin i ka dhënë një leje minerare biznesmenit Edmond Bego duke shmangur garën.
Sipas Partisë Demokratike, në lejen e firmosur nga ministri Gjiknuri, kompania e Begos ka të drejtë të shfrytëzojë për 25 vjet pasuritë natyrore në interes të biznesit të tij të ndërtimit.
Demokratët thonë se pasuria e Begos duhet të ishte sekuestruar në bazë të ligjit Antimafia pasi ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila i ka hedhur poshtë akuzat si plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme.
Në njoftim thuhet se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese, është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit, duke shpërndarë edhe dokumentet përkatëse.
Tv Klan