Pak pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shfaq përpara medias me një vendim të gjykatës italiane, që ka pushuar hetimet ndaj tij për lidhjet në trafikun e drogës me “Habilajt”, demokratët reaguan, duke e cilësuar të pavlerë dokumentin e publikuar prej tij.
“Dokumenti që ai valëvit për pafajësinë e tij, është i pavlerë për veprimtarinë e tij kriminale në Shqipëri. Hetimi italian është i parëndësishëm dhe nuk ka lidhje FARE me hetimin në Shqipëri. Saimir Tahiri nuk i ka kryer krimet në Itali, por në Shqipëri:Si Ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri”,
u shpreh këshilltari ligjor i PD, Gazmend Bardhi.
Ndaj dhe daljen e ish-Ministrit të Brendshëm përpara medias, demokratët e cilësojnë skenar të orkestruar nga Kryeministri Rama, për të shpëtuar nga drejtësia ish- vartësin e tij.
“Qëllimi kryesor politik i Edi Ramës prej një viti është që Saimir Tahiri t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mos ndëshkohet. Zgjidhja që Rama dhe Tahiri kanë gjetur është që prokuroria të prishë hetimet dhe të rrëzojë çdo akuzë për mbështetjen nga Tahiri të organizatës kriminale të Habilajve dhe trafikut të drogës”,
tha Gazmend Bardhi.
Pas fjalimit të ish- Ministrit të Brendshëm, opozita sheh kërcënimin e hapur që ajo thotë se Tahiri i bërë sistemit të drejtësisë, ndaj dhe adresoi një thirrje në adresë të organit të akuzës.
“Saimir Tahiri kërcënoi si mafioz çdo prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij. Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin”,
shtoi këshilltari ligjor i PD.
Për demokratët gjuha e përdorur nga Tahiri përbën vepër penale dhe se shfaqja e tij është një goditje e rëndë ndaj reformës në drejtësi.
Tv Klan