Përfshin administratën në fushatë elektorale
Partia Demokratike ka publikuar disa prova, që sipas saj, implikojnë në një akt të paligjshëm drejtorë të administratës në fushatë elektorale për Partinë Socialiste.
“Këtë janë 2 formularë të plotësuar nga persona realë që punojnë në administratë. Ata janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk përmbushin detyrimin për të siguruar një numër të caktuar votuesish, që deklarohen pro Partisë Socialiste. Njëri formular është plotësuar në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, nën drejtimin e Mirela Mitros. Formulari tjetër i përket Bashkisë Fier me kryetar Armando Subashin”, tha ish-deputeti i PD, Luan Baçi.
Në të dy këta formularë, demokratët thonë se janë shënuar emra nga punonjësi i administratës dhe përbri tij është numri personal i kartës së identitetit, numri i telefonit dhe njësia ku voton.
Selia blu paralajmëron se të gjithë këta zyrtarë do të përballen me ligjin, ndërkohë që po përgatit kallëzim penal për “Përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuar në Kodin Penal për kryebashkiakun e Fierit dhe Mirela Mitron.
Tv Klan