Ashtu siç kishte paralajmëruar Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin dhe ligjshmërinë në procedurat e miratimit të projektit “Marina dhe Jahtet e Durrësit.

Sipas opozitës kjo është një ndër aferat më të mëdha, për të cilën kreu i selisë blu Sali Berisha është shprehur se i kushton shtetit një dëm në vlerën e 1.3 miliardë Eurove.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, opozita thotë se Komisioni ka për objekt të veprimtarisë së tij shqyrtimin e të gjitha problematikave lidhur me miratimin e këtij projekti, prishjen e kontratës me kompaninë gjermane EMS dhe shitjen e koncesionit te kompania kroate Schapha, si dhe projektimin e ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Partia Demokratike thotë se shoqëria që do të realizojë projektin u përjashtua nga taksa e ndikimit në infrastrukture për ndërtimet e reja dhe kontributin social, ndërsa shteti shqiptar ka ofruar një sipërfaqe prej 818 mijë metrash katrorë me një vlerë tregu mes 449 milionë dhe 728 milionë eurosh, por përllogaritet të përfitojë vetëm 280 milionë Euro.

Po ashtu, në kërkesën e depozituar në Kuvend, Partia Demokratike thotë se ligji i jep disa të drejta dhe privilegje operatorit ekonomik privat, pa asnjë lloj gare dhe konkurrence.

Tv Klan