Deputetët e opozitës kërkuan sot largimin e kryetares së Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, e vënë nën hetim nga SPAK për çështjen Veliaj.
Vetë ajo është shprehur se mbetet me dinjitet edhe pas kësaj çështjeje. Në vijim gjeni një pjesë të debateve:
Dashnor Sula: T’i thërrisni ndërgjegjes dhe nga ky moment Komisionin e Ligjeve nuk do duhet ta drejtoni ju si kryetare e komisionit. Por do duhet ta drejtojë të paktën në këtë moment të sotëm, në këtë ngjarje të sotme, nënkryetarja e komisionit, zonja Çupi. Sepse ju si mazhorancë nuk keni legjitimitetin, moralin, për të drejtuar Komisionin e Ligjeve.
Klotilda Bushka: Ky është një Komision Ligjesh, nuk është komision hetimor. Unë jam drejtuesja e Komisionit të Ligjeve dhe jam duke ushtruar detyrën time. Në lidhje me atë që thoni ju, nëse kam diçka për të sqaruar, do ta sqaroj atje ku dhe sqarohen çështjet që ngrini. Sa i takon çështjesh së dinjitetit, kam qenë e dinjitetshme, jam e dinjitetshme, do vijoj të jem e dinjitetshme.
Tv Klan