Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, ka denoncuar këtë të enjte kryetaren e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli se ka shkelur masat antiCovid për të marrë pjesë në një takim partie. Sipas Spahisë, Raacolli ka qenë e shoqëruar në atë takim bashkë me deputeten Elona Gjebrea.
“Shkelin edhe rregullat që vetë predikojnë! Kjo është kryetarja e komitetit të ekspertëve, Mira Rakacolli në rresh të parë në një takim partie, bashkë me Elona Gjebrean, duke shkelur masat anti Covid që ka urdhëruar vetë! Pasi kuptuan se i nxorën bojën vetes, Gjebrea fshin foton! Pra ky është “reflektimi”, Fshehja, sic bëjnë për gjithçka. E turpshme sesi qytetarët i mbysin në gjoba, opozitën e godasin, ndërsa vetë injorojnë ligjin! Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama! Ky është modeli i tij! Për vete kulaçin, për qytetarët kërbaçin”.
Spahia thotë se minimalisht Rakacolli duhej të ishte shkarkuar nga detyra.
“Minimalisht Mira Rakacolli sot duhej të ishte shkarkuar nga detyra! Është e pafalshme që kryetarja e komitetit të ekspertëve për pandeminë Covid-19, të shkelë e para rregullat, për hir të partisë! Nëse një qytetar që shkel rregullat anti Covid gjobitet! Kur i shkelin këta, fshehin faktet duke fshirë fotot! Ky model i pështirë nuk duhet duruar më! Më 25 Prill shqiptarët do zgjedhin qeverinë që u shërben, e jo atë që i gjobit ndërsa vetë është mbi ligjin”. /tvklan.al