Demokratët do të kushtëzojnë votën e tyre për ndryshimet e propozuara në kod zgjedhor nga KQZ dhe mbështetur nga socialistët, me amendamentet që kanë dorëzuar në Kuvend.

Për ta aksesi për t’u regjistruar dhe më pas lejuar të votojnë për shtetasit shqiptarë që kanë vetëm dokumentat e shteteve të huaj dhe jo ato shqiptare është më i rëndësishëm se çdo ndryshim tjetër.

“Ne e kemi prioritet dhe pa këtë ne nuk mbështesim propozimet. Duhet bërë çdo përpjekje për ta mundësuar. Ky është një kusht që qëndron mbi këtë tavolinë”, shprehet deputeti Oerd Bylykbashi.

Damian Gjiknuri në një intervistë për Tv Klan të hënën tha se kjo kërkesë e PD është e papranushme jo vetëm nga ana parimore, por dhe ajo teknike. Por Bylykbashi dhe Kaso e kundërshtojnë duke treguar opsione sesi mund teknikisht të lejohet regjistrimi i shtetasve shqiptarë me dokumenta biometrike të huaj.

“Mjafton të hiqen kufizimet teknike sepse u hoq kufizimi ligjor dhe kjo zgjidhet. Çdo histori tjetër është alibi për të mos bërë të mundur këtë”, tha Bylykbashi.

Një tjetër propozim i demokratëve është dhe ai për të lejuar të votojnë dhe shtetasit që ju ka skaduar vlefshmëria e dokumentave të identifikimit. Por ky propozim është pranuar nga shumica dhe qeveria sipas tyre shumë shpejtë do të nxjerrë një akt normativ për t’i dhënë akses kësaj kategorie të shqiptarëve që jetojnë jashtë.

Tv Klan