Demokratët e nisën mosbindjen civile duke bojkotuar pjesërisht komisionet parlamentare.
Jorida Tabaku dhe Edi Paloka ishin të vetmit deputetë që morën pjesë në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane, ku krahas mbështetjes për avancimin e procesit të integrimit në BE, dy deputetë demokratë akuzuan mazhorancën për hapa pas lidhur me korrupsionin, parimin e ndarjes së pushteteve, injorim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, mungesën e demokracisë funksionale dhe respektimin e votës së lirë.
“Ne propozojmë që kjo të ndodhë brenda vitit 2024, ndryshe sa propozon qeveria mbas zgjedhjeve të 2025. Janë mbi 9 vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë faktuar përpjekjet antikushtetuese dhe antidemokratike. Nxitja e një klime politike pa sulme ndaj opozitës është thelbësore për një demokraci funksionale. Shqipëria e Edi Ramës nuk plotëson asnjë kriter të BE”, tha deputetja e PD Jorida Tabaku.
Socialistët kërkuan nga opozita të mos bëjë politikë me procesin e integrimit dhe mos e bllokojë me çështjet e saj të brendshme.
“Nuk mund të ketë mbajtje peng të mikrofonit. Procedura që ju zgjodhët të hapnit mbledhjen e Komisionit është totalisht e nëpërkëmbur”, u shpreh kreu i grupit të PS, Niko Peleshi.
“Çdo deklaratë politike mund të ishte bërë kudo tjetër, por jo në mbledhjen e këtij Komisioni. Kjo mbledhje do të duhej që të zhvillohej brenda konfidencialitetit që e parashikon ligji dhe rregullorja”, tha deputetja e PS, Etilda Gjonaj.
Përplasja mes palëve politike vjen vetëm pak ditë përpara se në 15 Tetor të çelet grupi i parë i kapitujve për Shqipërinë, pas ndarjes së proceseve integruese me Maqedoninë e Veriut.
Tv Klan