Momenti që ekstremizoi tensionin në oborrin e Kuvendit mes deputetëve demokratë dhe punonjësve të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe atyre të Gardës, ishte kur demokratët pretenduan se ky punonjës policie, sipas kesaj videoje të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD, preku armën e shërbimit me dorë.
Por Policia e përgënjeshtroi pretendimin se punonjës të Policisë u kanë nxjerrë tubuesve armë zjarri. Përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ka sqaruar se asnjë efektiv nuk ka qenë i pajisur me armë zjarri gjatë tubimit dhe se polici për të cilin opozita pretendon se ka qenë i armatosur, në xhep mbante një spray.
Por opozita insistoi se polici ishte i armatosur dhe se Policia po fsheh një tentim vrasje të deputetëve të opozitës.
Luan Baçi: E pashë armën, mu këtu e kishte.
Gazment Bardhi: I kanë drejtuar armën deputetëve, i kanë qëlluar ato në vendin e punës.
Grupi parlamentar demokrat paralajmëroi një kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë Tiranë, që sipas demokratëve lejuan të futen persona të armatosur në Kuvend, të cilët kanosën me armë deputetët.
Tv Klan