Heshtja 48-orëshe shton dyshimet për manipulimin e provave
48 orët që iu deshën kryeministrit Rama për t’i dhënë përgjigje akuzave për fshehjen e viktimave nga COVID, Lulzim Basha e shpjegon me tentativë për të manipuluar të vërtetën.
“Dy ditë përpjekje për të manipuluar faktet dhe për të fshehur të vërtetën që pamë të gjithë. E ka kot sepse askush nuk i beson më! Kush gënjen për një çështje kaq të ndjeshme, gënjen për gjithçka. Shqiptarët kanë nevojë për një qeveri që punon për ta dhe nuk merret me gënjeshtra natë e ditë”.
Demokratët i bënë sërish thirrje Prokurorisë dhe SPAK-ut që të hetojnë fshehjen e numrit të vdekjeve nga COVID- 19, që sipas tyre janë manipuluar nga qeveria.
“Qytetarët presin nga prokuroria të mos heshtë. Heshtja 48-orëshe e Prokurorisë shton dyshimet se qeveria po bën gjithçka për të manipuluar të vërtetën. I bëjmë thirrje edhe një herë Prokurorisë dhe SPAK që të mos rrinë duarkryq dhe të lejojnë zhdukjen e provave, por të nisin urgjentisht hetimin”.
Gjatë emisionit “Opinion”, kreu i demokrateve publikoi një listë me emrat e 923 qytetarëve, që sipas tij humbën jetën për shkak të COVID-19 nga muaji mars deri në tetor. Zyrtarisht raportohet se viktimat janë 509.
Tv Klan