Partia Demokratike ka zhvendosur protestën kundër qeverisë “Rama” në Strasburg para Parlamentit Europian. Për të përcjellë mesazhet e tyre për eurodeputetët, pankartat që mbanin në duar rreth 30 deputet ishin në gjuhën angleze me mbishkimet ku kërkohej liri për kryetarin e PD Sali Berisha dhe ish-deputetin Ervin Salinjin.

Po ashtu, në pankarta kishte dhe akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, ku shkruhej se ai bashkëpunon me krimin e organizuar dhe se Shqipërinë e ka kthyer në një narko-shtet. Për Klan Neës, deputeti Saimir Korreshi ka zbuluar edhe qëllimin e kësaj proteste.

Deputetët e tjerë shprehen se kjo formë proteste është për t’u treguar ndërkombëtarëve keqqeverisjen e socialistëve në vendin tonë.

Në këtë protest, deputetët u ndanë në dy grupe, ata që protestuan për rreth një orë para Parlamentit Europian dhe një grup tjetër u fut brenda këtij institucioni për të zhvilluar takime me euro deputetët, ku i kanë informuar për kauzat e tyre. Bëhet fjalë për deputetët Gazment Bardhi, Flamur Noka, Jorida Tabaku, Albana Vokshi dhe Agron Gjekmarkaj.

Pas protestës jashtë territorit të Shqipërisë, PD vijon përgatitjet për protestën e 29 Tetorit, e cila përveç Tiranës do të shtrihet edhe në qytete të tjera duke synuar bllokimin e disa rrugëve kryesore.

Klan News