Opozita ka kërkuar shpjegime nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani lidhur me përfshirjen e ambasadorëve në takimet e Kryeministrit me diasporën, teksa ky i fundit ishte thirrur për projektbuxhetin e vitit 2025.

“Axhenda s’ka qenë qeveritare por diplomatike, ka koment Ministria e Jashtme për pëfshirjen e ambasadorëve në procesin electoral”, pyeti kryetarja e komisionit Jorida Tabaku.

Ministri i Jashtëm i hodhi poshtë këto pretendime të opozitës.

“Nuk jemi në fushatë elektorale, hapet shumë më vonë. Së dyti, për asnjë moment nuk ka pasur aktivitet partiak dhe politik, kanë qenë takime të Ramës me përfaqëses të diasporës. Nuk janë përdorur asnjë logo dhe batutë. Është folur për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Tabaku këmbëengul se në të paktën 48 aktivitete të Kryeministrit të pranishëm krahas diplomatëve kanë qenë edhe përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste.

“Në ato takime ka qenë pjesë edhe Blendi Klosi si përfaqësues i PS. Gjithashtu janë 48 aktivitete. Përfaqësuesit e trupit diplomatik nuk duhet të marrin pjesë në ato takime. E kalon cakun kur flitet 25 minuta pa ndërprerje për kundërshtarin”, u shpreh Tabaku.

“Aktivitetet janë bërë jashtë orarit zyrtar dhe ju lejohet të marrin pjesë edhe shërbimi diplomatik. Statusi i nëpunësit civil e lejon. Janë aktivitete diaspore dhe jo politike. Ju kërkoj dhe ftoj edhe ju të bëheni pjesë sepse diaspora i takon popullit shqiptar, të gjithëve Shqipërisë”, u kundërpërgjigj Blendi Klosi.

Pas debateve, ministri Hasani informoi komisionin edhe lidhur me ecurinë e procesit të negociatave, proces që sipas tij do i mundësojë Shqipërisë anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.

Tv Klan