Kryeministri Edi Rama solli në rikujtesë gjuhën e ashpër të ish-ministres britanike Suella Braverman ndaj emigrantëve shqiptarë në Angli. Duke theksuar se “ajo teta iku nga pushteti”, Rama ndau me shqiptarët një sërë episodesh që i kishin ndodhur në Britani. Këto të fundit kanë një mesazh të përbashkët e të fuqishëm…

“Ju e mbani mend të gjithë një ish-ministre të Brendshme të këtij vendi, një tip që u bë mishërimi i politikës së djallëzuar, duke na treguar me gisht si rrezik për MB, pa pikën e drojës ajo zonjë doli në parlament dhe tha se çfarë po ndodh ishte pushim, na bëri pushtues sikur shqiptarët të ishin ushtarë dhe jo pjesë e masës njerëzore që edhe sot e kësaj dite i punon këto toka. Zonja na quajti pushtues a thua se kishim ardhur të kërkonim kokën e kurorës së mbretëreshës, e jo për të punuar duke ndihmuar edhe ekonominë britanike e cila vuan gjithnjë e më shumë për krah pune. U ngritën edhe ca të tjerë e na treguan me gisht sikur ishim vikingë me shpata në duar, jo muratorë, pastures, burra të gatshëm për çdo punë dhe minorenë ëndërrimtarë për çdo majë. Ambasadori ynë në Londër është njëri prej tyre, i ardhur me gomone e i diplomuar, edhe shqiptari që bëri shoferin për mua sot ka ardhur me kamion. Sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës, jo vetëm me shqiptarë. Ai nuk është pushtues, ai është një kontributor në këtë vend.

Kur isha disa kohë më parë në Londër për të folur për ju të gjithë, ndodhi diçka që për mua ishte e këndshme, por për truprojën angleze ishte e çuditshme. Hyj në hotel, ulem të marr një kafe, vjen kamarieri dhe më flet shqip, i thashë truprojës “don’t worry, im home!” Ka ndodhur tamam kështu, dal të nesërmen në mëngjes dhe dëgjoj britma, 3 punëtorë në skela te godina ngjitur. Unë i kthehem truprojës dhe ia them sërish atë frazë. Kulmi ishte te parlamenti britanik, më tha roja: “ku je bre kryeministër, mirë se ke ardhur në Londër!” Aty i them truprojës “Are you from Albania too?!” Ajo teta që iu tregonte ju me gisht iku nga pushteti, kurse ju ja ku jeni! Këtu ku ishit!”, tha Rama.

/tvklan.al