Partia Demokratike dhe Ministria e Financave u përplasën për projektin e devijimit të Lumit të Lanës, që sipas selisë blu është bërë për të favorizuar ndërtimin e një kompleksi për llogari të biznesmenit Edmond Bego. Demokratët thonë se pas privatizimit të zonës së ish-serave qëndron dikasteri i drejtuar nga Ahmetaj.
Jorida Tabaku:
“Arben Ahmetaj mashtroi qytetarët kur tha se Ministria e drejtuar prej tij nuk ka patur asnjë lidhje me Edmond Begon gjatë procesit të privatizimit të zonës, ku i dënuari me 21 vjet burg për trafik droge do të ndërtojë projektin rezidencial 60 milionë Euro”.
Ina Zhupa: “
Edmond Bego është përsoni që ka paguar rreth 1.5 milionë Euro në llogarinë e Ministrisë së Financave, të ndarë në 4 këste, nga muaji Nëntor 2015 deri në Mars 2016. Pagesat janë bërë nga kompania Inerte Ekspres, në pronësi 100 përqind të Edmond Begos. Katër pagesat për llogari të Ministrisë së Financave mbajnë datat, njëra në 13 Nëntor 2015 me vlerë 121 milionë Lekë. Tre të tjerat janë paguar brenda të njëjtës ditë, më 11 Mars 2016. Vetëm pas këtyre pagesave nga Edmond Bego, Ministria e Financave ka lidhur kontratën për privatizimin e rreth 31 mijë metrave katrorë tek ish-serat, pranë Unazës së Madhe”.
Por në një konferencë për shtyp, drejtori i Pronës Publike në Ministrinë e Financave Endri Ducka, tha se procesi i kthimit të pronës në këtë zonë ndaj familjes Hamdi Pinari ka nisur në vitin 1995 dhe në 2007-ën ishte Ministri i Ekonomisë Genc Ruli që nisi procesin për privatizimin e kësaj prone për llogari të kësaj familjeje, të cilët kishin të drejtën e parablerjes.
Ministria e Financave sqaroi se derdhja e parave për privatizimin e truallit mund të jetë bërë nga çdo kompani apo person, por shuma ka shkuar për llogari të familjes Pinari dhe se ky dikaster nuk ka tagër të hyjë në marrëdhëniet tregtare mes pronarëve dhe kompanive.
Tv Klan