Rama dhe Ruçi kanë sjellë në parlament për miratim vendimin që kthen Parlamentin në Gjykatë dhe u jep imunitet nga arrestimi ministrave dhe deputetëve të mazhorancës. Kështu deklaroi deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi sipas të cilit projekt vendimi që do të shqyrtohet në seancën plenare të së enjtes, rrëzon reformën në drejtësi.
Që Bashkimi Evropian ia mbylli derën Shqipërisë edhe për një vit kjo është mëse e qartë për Partinë Demokratike. Por opozita tregon dhe shkaktarët e kësaj pasoje.
“Edi Rama dhe Gramoz Ruçi janë autorët kryesorë përse Bashkimi Europian ia mbyll derën Shqipërisë”.
Argumenti një sjell deputeti Oerd Bylykbashi është kjo kërkesë e deputetëve të Partisë Socialiste drejtuar Kuvendit të Shqipërisë.
“Gramoz Ruçi po sjell në Parlament me kërkesë të Edi Ramës për miratim, të enjten që vjen, të një vendimi i cili rastin “Tahiri” e kthen në rregull.
Pra, mbrojtjen me vendim të Parlamentit, me imunitet nga Parlamenti nga arrrestimi dhe ndjekja penale të Sajmir Tahirit, sot duan ta kthejnë në rregull për të mbrojtur ministra të korruptuar, kryeministrin e korruptuar, deputetët e Edi Ramës, të cilët janë të lidhur me krimin e organizuar dhe me korrupsionin”.
Projekt vendimi për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërise”‘, të ndryshuar e kthen parlamentin në Gjykatë, thotë Bylykbashi.
Këshilli shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti. Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim.
“Me këtë veprim Edi Rama dhe Gramoz Ruçi duke i dhënë imunitet dhe mbrojtje kriminelëve, imunitet parlamentar dhe duke kthyer Parlamentin në Gjykatë, rrëzon Reformën në Drejtësi. I heq çdo mundësi që peshqit e mëdhenj të arrestohen nga drejtësia, qoftë edhe ajo e reformuar, dhe të mbrohen ashtu siç bënë me Sajmir Tahirin”.
Demokratët shprehen të bindur se kryeministrit Edi Rama nuk i intereson hapja e negociatave prandaj kërkon miratimin e këtij projekt vendimi pasi Bashkimi Evropian i mbylli derën. Me këtë veprim, opozita nuk sheh mundësi për hapje negociatash as në vitin 2019./abcnews.al