Partia Demokratike thotë që qeveria nuk ka siguruar asnjë kusht për zhvillimin e mësimit të fëmijëve gjatë paandemisë së Covid-19.
Përmes një deklarate për shtyp, Albana Vokshi tha se edhe pse kanë mbetur më pak se 3 javë situata është alarmante.
Kjo për shkak të rrezikut të Covid dhe shkollave të dëmtuara nga tërmeti i Nëntorit, ku qeveria nuk ka mbajtur premtimin për t’i rindërtuar.
“Rreth 510 mijë nxënës dhe mësues janë të rrezikuar drejtpërsëdrejti nga infektimi për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit në ikje dhe ministreve të tij të paafta të arsimit dhe të shëndetësisë. Cili është plani i qeverisë për të sistemuar mbi 23 mijë nxënësit dhe mësuesit, që nuk kanë më një shkollë për shkak të tërmetit? Si do të bëhet shpërndarja e tyre në klasa për të garantuar distancimin, kur dihet se klasat janë të mbipopulluara edhe pa shembjen dhe dëmtimin e këtyre 300 objekteve arsimore”, tha Vokshi.
Gjendja më kritike sipas PD-së është në Tiranë e Durrës ku mbi 23 mmijë nxënës dhe mësues duhet të zhvendosen për shkak se qeveria nuk ndërtoi në kohë shkollën.
Vokshi komentoi edhe protokollin e sigurisë të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë për hapjen e shkollave. ajo thotë protokolli ka vetëm rregulla të përgjithshme dhe është i pazbatueshëm.
“Prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë të paqartë për orët e mësimit, për turnet në shkolla, si do të zbatohet distanca 1.5 metra e fëmijëve, çfarë do të bëhet për të garantuar kushtet higjeno-sanitare, në mënyrë që rinisja e mësimit të mos shndërrohet në një katastrofë shëndetësore”, tha Vokshi./tvklan.al