Ditën që Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj inauguruan “Pazarin e Ri”, Partia Demokratike thotë se Veliaj nuk bëri asgjë më shumë se përfundimin e projektit të Bashës, të cilin e kishte bllokuar Partia Socialiste.
Në reagimin e tij, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, tha se “me 16 prill te 2015, Lulzim Basha dhe Michael Granof – Presidenti i fondit Shqiptaro- Amerikan të ndërmarrjeve, në një konferencë shtypi lajmëruan përfundimin e projektit te ‘Pazarit te Ri’, duke publikuar dhe fotot përkatëse se si do te transformohej kjo hapësira tregtare dhe publike.”
Bozdo tha se ky ishte vetëm njeri prej projekteve transformues, me financim te siguruar dhe parashikuar nga administrata Basha, një tjetër ishte Bulevardi i ri e Lumi i Tiranes, Terminali Multimodal, dhjetëra rruge, shkolla, kopshte e çerdhe.
“Ne fakt deri tani, “Rama Junior” s’po bën gjë tjetër vetëm zbaton projektet e administratës Basha dhe po përfundon ato që u bllokuan turpshëm gjatë dy viteve të qeverisjes së Rilindjes. Ne kontrast me këtë, Kaposhi Rama qe kapardiset sot, iku si bandit nga Bashkia: nuk la as edhe një copë letër të bardhe në tavolinat e punës, se për projekte investimet, punë ne proces apo fonde të siguruara e financime nga arka e Bashkisë, nuk behej fjalë. Iku dhe la pas gropën në Sheshin Skënderbej qe ishte kthyer ne makth për qytetaret, la tonelata plehra neper hapësira publike siç ishte ajo pas pallatit te kulturës e cila u shndërrua në një lulishte për qytetaret apo hapësira e mbetjeve tek policia bashkiake tejet e rrezikshme për jetën e qytetare, hapësirë e shndërruar po kështu në lulishte nga administrata Basha,” tha Bozdo.
Bozdo tha se kontrasti sot është i qarte mes Bashës dhe Ramës. “Rama iku nga Bashkia me një pasuri të pallogaritshme për vete, Basha u largua duke lënë pas investime kryera, te nisura, ne proces, te projektuara dhe me sigurim te financuar qe do të ndryshojnë të sotmen dhe te ardhmen e kryeqytetit te Shqiptareve.”/tvklan.al