Parlamenti Evropian mbështet sugjerimin e qeverisë greke për integrimin e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014, në një diskutim mbi arritjet e Maqedonisë në kuadrin e integrimit evropian.

Ndërkohë, europarlamentarët në Strasburg, votuan me 582 vota pro dhe 24 kundër, edhe rezolutën e europarlamentarit austriak Hanes Svoboda, në të cilën theksohet se mbyllja e negociatave të anëtarësimit me Kroacinë brenda këtij viti dhe hyrja e shpejtë e kësaj të fundit në BE do t’i japë një shtysë pozitive, integrimit të vendeve të tjera të Ballkanit.

Draft rezoluta mbi Maqedoninë e sllovenit Zoran Thaler u miratua me 548 vota pro dhe vetëm 45 kundër.

Krahas integrimit në BE, draft-rezoluta vlerëson pozitivisht progresin e Maqedonisë gjatë vitit të kaluar në kuadër të proceseve integruese.

Megjithatë çështje problematike mbetet çështja e emrit. Me anë të dokumentit në fjalë, europarlamentarët u kërkojnë qeverive respektive, Shkupit dhe Athinës të përpiqen më tepër e të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët.

Presidenca spanjolle ka deklaruar se në rast se nuk arrihet zgjidhje, nuk do të jetë e mundur që Shkupi zyrtar të nisë negociatat për anëtarësim në muajt që vijnë.

Po kështu, europarlamentarët vlerësuan me nota pozitive arritjet e Kroacisë në një kohë që për Turqinë u arrit në përfundimin se ka ende probleme, për shkak të progresit të kufizuar në disa fusha.

Megjithatë, në rezolutë theksohet se Kroacia, Maqedonia dhe Turqia, duhet të vazhdojnë të bëjnë përpara në zbatimin e ligjit, lirinë e shprehjes, marrëdhëniet e mira fqinjësore, marrëdhëniet me ndëretnike etj./tvklan.al