Me 390 vota pro, 175 kundër dhe 44 absenim, Parlamenti Europian pranoi rishikimin e marrëveshjes së shumë diskutuar të Dublinit për emigrantët. Kjo marrëveshje parashikon që emigrantët e ardhur nga Lindja e Mesme dhe Afrika duhet të aplikojnë për azil në vendin anëtar të BE-së ku ata shkelin për herë të parë. Një rregull i tillë penalizonte së tepërmi Italinë dhe Greqinë, dy portat hyrëse të Bashkimit Europian në Mesdhe.
Sipas eurodeputetëve, azilkërkuesit duhet të shpërndahen me kuota të caktuara në të gjitha vendet anëtare të Bllokut dhe ai vend që refuzon kuotat e përcaktuara rrezikon ndërprerjen e fondeve nga Brukseli.
Kundërshtari më i madh i kuotave dhe mbështetës i marrëveshjes së Dublinit është kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili ka ashpërsuar ndjeshëm masat në vendin e tij për të mbajtur larg fluksin e emigrantëve.
Anulimi i marrëveshjes së Dublinit është kërkuar edhe nga presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane Merkel, të cilët e kanë cilësuar si të padrejtë.
Tv Klan