12 emigrantë të jashtëligjshëm të sjellë nga marina italiane në qendrat e Shënginit dhe Gjadrit, duhet të rikthehen menjëherë në Itali. Ky është verdikti i dhënë nga gjykatësit e seksionit të migracionit në Gjykatën e Romës.
Ndryshe nga sa ishte parashikuar, kjo gjykatë nuk e konfirmoi ashtu siç pritej, dërgimin në qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të azilkërkuesve nga Egjipti dhe Bangladeshi që u shpëtuan natën e 13 Tetorit në ujërat ndërkombëtare pranë brigjeve italiane.
Për këtë, Gjykata e Romës i referohet vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë që daton më 4 Tetor, para hapjes së qendrave të emigrantëve në Shqipëri nën juridiksionin italian.
Në atë vendim thuhej se një vend duhet të konsiderohet si sigurt në të gjitha pjesët e tij për çdo person, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga persekutimet, diskriminimet apo torturat në çdo cep të vendit. Gjykata Europiane nuk i konsideron vende krejtësisht të sigurta origjine, Egjiptin dhe Bangladeshin.
Tv Klan