Nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit ka mbijetuar në rrjedhë të shekujve e të ndërrimeve fetare. Duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë.

Pelegrinazhi i nisur që prej datës 20 Gusht në malin e shenjtë të bektashianëve ka arritur kulimin ditën e djeshme me organizimin e festës së madhe ku mijëra pelegrinë u lutën në Teqenë e Kulmakut dhe kanë bërë kurban për mirësi e shëndet.

Baba Reshat Bardhi: “Për gjithë globin e për gjithë besimtarët që vijnë këtu u jap një paqe, një dashuri, një vëllazëri, një mbarështim dhe gjithë kombet që janë të bashkuar të jemi të gjithë së bashku, se 1 zot të vetëm kemi edhe zoti është për të gjithë”.

Por një veçori tjetër e kësaj feste është edhe lyerja e ballit të pelegrinit me gjakun e kurbanit të flijuar. Por nuk mbarojnë këtu ritet saj pagane te cilat zgjasin pesë ditë. Sipas besimtarëve të sektit Bektashian besimi dhe ndjekja e ritualeve sjell mbarësi për këdo.

“Jemi besimtarë të rregullt të festës së Kulmakut, të gjurmëve të Abaz Aliut. Jemi besimtarë të rregullt vijmë e festojmë vit për vit festën Kulmak”.

“Besojmë shumë në mrekulli dhe prandaj kemi ardhur. Për mbarësinë e shpish, për të gjitha”.

“Besojmë te Abaz Aliu dhe vijmë për familjen, për mbarësi të familjes tonë”.

Në këtë festë qindra vjeçare nuk ka munguar dhe interesi i vizitoreve të huaj.

“Kemi qenë njëherë këtu, madje kemi bërë dhe një reportazh për pelegrinazhin duke e titulluar islami në Shqipëri. Kjo është hera e dytë që e vizitoj Malin e Tomorit dhe ardhja këtu është një eksperiencë e veçantë, por dhe një aventurë më vete”.

Festa “Ditëve të Tomorit” që organizohet për nder të Abaz Aliut, ka mbledhur mijëra pelegrinë të cilët vazhdojnë të therin kurban e të luten si shenjë e besimit dhe e mirësisë./tvklan.al