Vrasja e 6 pengjeve izraelit në Gaza që nxiti protesta të dhunshme në Jerusalem dhe Tel Aviv ka bërë që kryeministri Benjamin Netanyahu të kërkojë publikisht falje.
Në një konferencë për shtyp Netanyahu premtoi se pengje të tjerë izraelite do të kthehen te familjet e tyre edhe nëse nuk arrihet një armëpushim me Hamasin. Mes të tjerash ai u shpreh se presioni për marrëveshje duhet të ushtrohet ndaj Hamasit, jo ndaj Izraelit, veçanërisht pas vdekjes së pengjeve.
Benjamin Netanyahu, kryeministri i Izraelit: Çfarë ka ndryshuar në pesë ditët e fundit? Çfarë ka ndryshuar? Një gjë. Këta vrasës ekzekutuan gjashtë pengjet tanë. Ata i qëlluan në pjesën e pasme të kokës. Kjo është ajo që ka ndryshuar. Dhe tani pas kësaj na kërkohet të tregojmë seriozitet? Na kërkohet të bëjmë lëshime? Çfarë mesazhi i dërgohet Hamasit? Ne themi po, për një marrëveshje, ata thonë jo gjatë gjithë kohës. Dhe tani ne kemi gjithë këtë presion maksimal mbi Hamasin.
Komentet e kreut te qeverise erdhën pasi protestat e mëdha në rrugë për marrëveshje pengjesh hynë në natën e dytë në Izrael. Presioni ne rritje Netayahu ka edhe ndërkombëtarisht pasi presidenti i SHBA Joe Biden tha se ai nuk po bënte mjaftueshëm për të siguruar një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe armëpushim me Hamasin. Ndërsa bëhen këto komente publike, një propozim i ri paqeje pritet t’i dërgohet kryeministrit izraelit si përfundimtar.
Nga ana tjetër aleatët e ekstremit të djathtë të Netanyahut kanë kërcënuar se do të tërhiqen nga qeveria e koalicionit, duke minuar shanset e tij për të qëndruar në pushtet, nëse ai do të pranonte një marrëveshje të lidhur me një armëpushim të përhershëm përpara se Hamasi të shkatërrohej.
Mes të tjerash Britania e Madhe pezulloi 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael duke përmendur rrezikun e përdorimit të këtyre pajisjeve se mund të shkelin ligjin ndërkombëtar. Masa përfshin pjesë për avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë.
Nga ana tjetër protesta vijuan në ditën e dytë. Protestuesit u përpoqën të pengonin konferencën për shtyp të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. Ata hapën zjarr përpara zyrës së tij dhe me pankarta ne duar kërkonin liri për pengjet.
Gjatë konferencës kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk la pa përmendur edhe çështja e të ashtuquajturit korridori i Filadelfit, në skajin jugor të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin. Ky territor ka qenë një pikë e madhe pengese në përpjekjet për të siguruar një marrëveshje për të ndalur luftimet në Gaza dhe për të kthyer pengjet. Hamasi ka refuzuar çdo prani të Izraelit ne Gaza, ndërsa Netanyahu ka këmbëngulur që Izraeli nuk do ta braktisë korridorin, pasi kanë zbuluar dhjetëra tunele që janë përdorur për të kontrabanduar armë dhe municione në Gaza.
Klan News