Prej 2 Dhjetorit mbi rreth 724 mijë pensionistë në të gjithë vendin kanë nisur tërheqjen e bonusit të fundvitit përkatësisht 100 euro dhe 150 euro.
Bonusi merret në pikat e postës apo bankat e nivelit të dytë, aty ku kjo grup-moshë merr edhe pensionin.
Ata shprehen se bonusi i këtij viti është i kënaqshëm krahasuar me vitet e kaluara.
“Qoftë për herë kështu për fukaranë,” tha një pensionist.
“Shumë mirë”, tha një tjetër.
“Vetëkuptohet krahasuar me vitet e shkuara se ka qenë edhe 20 mijë të vjetra, kështu që sigurisht më mirë,” u shpreh një pensionist.
“Mirë, mirë, por akoma… Do rregullohet kjo punë,” shtoi një pensionist tjetër.
Megjithatë të moshuarit shprehen se pavarësisht iniciativave mbështetëse nga qeveria për një bonus tjetër në pranverë, kërkojnë që të ketë edhe rritje të pensionit.
“Ne duam të hamë ngaherë, jo vetëm një herë, ne pensionistët. Inshallah na i rrit, mendon Rama për ne,” tha një pensioniste.
“Inshallah të rritet, për fukaranë çfarë nuk duhet bërë”, tha një pensionist tjetër.
“Patjetër që duhet rritur pensioni, është shumë i ulët,” tha një tjetër.
Të gjithë pensionistët që marrin pension deri në 20 mijë lekë do të tërheqin edhe bonusin prej 150 eurosh, ndërsa ata që marrin mbi 20 mijë lekë, përfitojnë 100 euro shtesë dhe tërheqjen e këtyre shumave mund ta bëjnë deri në Qershor të vitit të ardhshëm.
Klan News