Një 45-vjeçar shqiptar është vrarë në natën mes të premtes dhe të shtunës në Milano të Italisë. Shqiptari i identifikuar nga mediat italiane si Dritan Hakaj u qëllua për vdekje nga një i moshuar italian.
78-vjeçari Walter Budri e qëlloi shqiptarin me një pistoletë Bereta që mbante me leje në shtëpi.
Ngjarja ka ndodhur në shkallët e pallatit ku ata jetonin dhe ku të dy burrat kanë pasur fillimisht një përplasje verbale.
I moshuari italian e akuzonte shqiptarin se kishte një lidhje me gruan e tij 51-vjeçare. Gjatë konfliktit, 78-vjeçari nxori armën dhe hapi zjarr disa herë duke e lënë të vdekur në vend Hakajn.
Ngjarja ndodhi në prani të djalit të mitur të gruas. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vuri në pranga autorin duke sekuestruar edhe armën e krimit.
Për zbardhjen e ngjarjes është marrë në pyetje gruaja e të moshuarit dhe fqinjët e tyre.
Mediat italiane shkruajnë së viktima ishte i papunë dhe me precedentë penalë.
Tv Klan