Është hapur këtë të mërkurë gara ndërkombëtare për linjën hekurudhore Vorë-Hani i Hotit. Në fjalën e saj zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cilësoi një tjetër gur kilometrik të infrastrukturës shqiptare.

“Është kënaqësi e madhe të jemi këtu, për të vendosur një tjetër gur kilometrik të infrastrukturës shqiptare. Bëhet për një pjesë tjetër të rëndësishme të hekurudhës shqiptare, një nga mjetet e transportit tashmë të konsideruara më të rëndësishëm për politikat e BE, duke pasur parasysh impaktin e madh që ka në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi, sidomos ato të Ballkanit Perëndimor. Sot çelim garën ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Një hekurudhë e cila lidh edhe njëherë Shqipërinë me Malin e Zi, një vend me të cilin ndajmë histori, tradita të përbashkëta, por mbi të gjitha aspirantën e madhe për t’u bërë sa më parë anëtarë të BE. Dhe çka mund të kontribuojë më shumë në aspiratën e popujve tanë sesa baza e një transporti të përbashkët, një transporti që ndërlidh jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por e bën Shqipërinë pjesë të korridoreve pan-europiane”.

Ambasadori i BE, Silvio Gonzato tha se kjo hekurudhë përbën një hap jetik për integrimin rajonal.

“Kjo nismë është pjesë e strategjisë europiane për të zgjeruar edhe më tej rrjetin europian të transportit në Ballkanin Perëndimor. Kjo lidhje hekurudhore e Shqipërisë me vendet fqinje dhe Europën, është një hap jetik për integrimin rajonal dhe mezi presim dhe lançimin e punimeve për Korridorin 8, një lidhje tjetër strategjike si për Shqipërinë dhe rajonin, natyrisht dhe BE. Ky projekt do të sjellë përfitime konkrete për të gjithë qytetarët, por do të sjellë edhe më shumë turizëm ndërkombëtar, sepse natyrisht për shembull djali im nuk ka qejf të përdorë avionë për arsye mjedisore. Dhe më tha a mund të vij në Tiranë me tren? I thashë jo më vjen keq. Ajo që bëri ishte që shkoi deri në jug të Italisë me tren dhe pastaj mori tragetin. Shpresoj shumë që kjo linjë hekurudhore të përurohet sa më shpejt të jetë e mundur, që njerëzit të kenë mundësinë të lëvizin më mënyra ekologjike”.

Vorë-Hani i Hotit është një linjë hekurudhore prej 120 kilometrash, e cila fillon nga Vora dhe përfundon në Han të Hotit. Parashikohet që të ndërtohen apo të rikontruktohen 12 stacione. Kjo hekurudhë do të ketë 12 ura dhe një tunel në zonën e Lezhës, me një gjatësi prej 320 metrash. Shpejtësia e kësaj linje hekurudhore parashikohet të jetë 120 km/h. Kjo rrugë do të përshkohet për 2 orë mesatarisht dhe parashikohet të ketë një fluks vjetor prej 2.3 milion pasagjerësh./tvklan.al