Pastërtia e bregdetit mbetet një ndër prioritetet kryesore të qeverisë, ku është ndërhyrë dhe po ndërhyhet në vijimësi. Bashkitë e Himarës dhe Sarandës kanë nisur punën për pastrimin e plazheve, të cilat aksesohen përmes detit dhe ekipeve të pastrimit u janë bashkuar edhe Forcat Detare.
Për të ndjekur nga afër këtë aksion ishte zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu në disa prej plazheve të jugut.
Belinda Balluku, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës: Ne e konsiderojmë në këto momente të një rëndësie të veçantë ndërhyrjen e ushtrisë, qoftë nga toka, me trupat që mund të ndihmojnë bashkitë, por qoftë dhe nga deti. Ndërkohë që do të duhet, nga çfarë po kuptohet, që pas përfundimit të sezonit të bëjmë një analizë të mirëfilltë të të gjithë situatës për të nxjerrë mësime nga ky numër i shtuar sepse çdo vit nga sa kuptohet ne arrijmë që të identifikojmë të tjera pika të dobëta që dalin në sipërfaqe.
Ndërsa ministri Pirro Vëngu u shpreh se koordinimi i të gjithë aktorëve kryesorë së bashku mbetet thelbësore në këto aksione pastrimi.
Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes: Është absolutisht e nevojshme që roja bregdetare, sidomos në sezon, të ketë një koordinim shumë të madh me Njësinë Detare të Policisë Kufitare dhe me bashkitë të cilat duhet patjetër të mobilizohen në këto zona që mund të jenë me akses të vështirë, por duhet që patjetër të kenë një kontroll të territorit dhe në këto plazhe që janë shumë të frekuentuara.
Nga plazhet e Himarës dhe Sarandës, zëvendëskryeministrja Balluku dhe Ministri Vengu nënvizuan se edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve e operatorëve turistik është shumë i rëndësishëm sa i takon administrimit dhe mbajtjes pastër të plazheve.
Klan News