Në fokus siguria ushqimore
Teksa Kuvendi ka nisur punën për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE, Këshilli Kombëtar i Integrimit pati në fokus ligjin për sigurinë ushqimore. Bashkëkryetarja, Jorida Tabaku foli për mbrojtjen e munguar ndaj konsumatorit dhe vendosi përgjegjësinë tek Autoriteti i Konkurencës.
Jorida Tabaku: Ne nuk mund ta shohim mbrojtjen e konsumatorit të izoluar, që lidhet përshembull vetëm me cilësinë e produkteve. Por duhet ta shohim në raportin që ofrojmë në çmim, për këtë arsye zoti ministër Autoriteti i Konkurrencës duhet të luajë një rol parësor në të gjitha politikat për mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimi.
Ministri Blendi Gonxhja, vendosi në shenjestër disa institucione që sipas tij nuk e kanë bërë punën si duhet dhe madje mungonin dhe në këtë mbledhje të Këshillit të Integrimit.
Blendi Gonxhja: E ndaj nga vetja pjesën e Autoritetit të Konkurrencës me të cilin gjatë karrierës time më kanë lidhur edhe momente të çuditshme ballafaqimi, ku në vend që të luftonim sëbashku për të garantuar konkurrencën në treg, kam vënë re që ka qenë e pamundur ndonjëherë për të shpjeguar me disa prej tyre. Sot në mënyrë të çuditshme ky autoritet nuk është as prezent në tryezë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvilimit Rural Anila Denaj, tha se duhet të ketë një komunikim më efektiv për biznesin.
Anila Denaj: Mendoj që është një hap shumë i mirë, një bazë cilësore për të projektuar suksesin e këtij rrugëtimi i cili absolutisht do kërkojë mbështetjen dhe një komunikim efektiv me biznesin sepse do ketë nevojë për të implementuar në faza të caktuara dhe bashkërenduara ato që do jenë kosto si rezultat i procesit.
Ministrja theksoi se veç procesit legjislativ me rëndësi janë edhe investimet, konkretisht në sistemin laboratorik, me mjaft rëndësi në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve.
Klan News