Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ndihma ekonomike që do të përfitojnë qytetarët gjatë pandemisë, do të jetë 236 Euro, aq sa është paga minimale.
Ndërkohë që në vendin tonë, rroga minimale është 260 mijë Lekë të vjetra ose 190 Euro, sikurse u konfirmua nga ministri Arben Ahmetaj i ftuar në studion e “Opinion”.
Nga ana tjetër, rroga mesatare në Maqedoninë e Veriut është 430 Euro, kurse në Shqipëri 410-418 Euro.
Kreshnik Bekteshi: Një pjesë e konsiderueshme e sipërmarrësve ose punojnë me orar të shkurtuar, ose janë mbyllur. Sa i përket denarëve, 14.500 Denarë janë 236 Euro apo është paga minimale. Do të paguajmë të gjithë punonësit në sektorin real, dhe sipas projeksioneve të qeverisë do të përfshihen 250 mijë punonjës.
Blendi Fevziu: Ne paguajme vetëm 60 mijë, Maqedonia e Veriut paguan 260 mijë.
Arben Ahmetaj: Pak a shumë paketat janë të njëjtat. Instrumentet e garancisë furnizojnë të njëjtën logjikë dhe ndërkohë ne jemi vetëm tek paketa e parë. Paketa e dytë është në zhvillim e sipër.
Blendi Fevziu: Bekteshi, keni parashikuar një paketë për turizmin?
Kreshnik Bekteshi: Po, me siguri që po. Kemi parashikuar edhe fond për turizmin, vetëm se kemi ndarë rreth 2.5 milionë Euro të cilat do të jenë subvencione të drejtpërdrejta për të gjithë agjencitë turistike. Kemi ndryshuar edhe ligjin për veprimtari turistike.
Blendi Fevziu: Bekteshi, sa është buxheti vjetor i Maqedonisë?
Kreshnik Bekteshi: 3.9 miliardë Euro?
Blendi Fevziu: Sa është buxheti ynë z.Ahmetaj?
Arben Ahmetaj: Buxheti jonë shkon afërsisht te 4 miliardë Euro.
Blendi Fevziu: Rroga minimale në Maqedoni është 236 Euro, po rroga mesatare?
Kreshnik Bekteshi: Rroga mesatare është diku rreth 430 Euro.
Blendi Fevziu: Z.Ahmetaj, sa e kemi ne rrogën minimale dhe rrogën mesatare?
Arben Ahmetaj: 260 mijë Lekë të vjetra e kemi pagën minimale që i bie dikur 190 Euro, dhe rrogën mesatare ne na shkon tek 410 Euro, 418 Euro tamam se kemi bërë llogari përpara disa kohësh. /tvklan.al