Roberto Mancini e drejtoi kombëtaren e Arabisë Saudite për më pak se 14 muaj, por nga kjo eksperiencë ai ka përfituar jo pak financiarisht.
Ish-trajneri i Manchester Cityt dhe Italisë kishte një pagesë 25 mln Euro në vit në bazë të akordit me federatën saudite.
Ai nënshkroi një kontratë katër vjeçare, por palët vendosën që të ndërprisnin bashkëpunimin para kohe, pas tensioneve me tifozët dhe për shkak të rezultateve larg pritshmërive.
Sipas tabloidit britanik “Daily Mail”, Mançini do të përfitojë 20 mln Euro në bazë të akordit me institucionin saudit të futbollit për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Në 20 takime në stolin e Arabisë, Mançini humbi 7 dhe barazoi në pesë ndeshje. Në 14 Nëntorin e ardhshëm do të jetë sfida vendimtare e Arabisë Saudite kundër Australisë në Melburn.
Federata ka kontaktuar me argjentinasin Ramon Diaz dhe francezin Hervé Renard për postin e trajnerit të ri. Ky i fundit e njeh mirë kombëtaren saudite, pasi e udhëhoqi atë drejt kualifikimit në kampionatin Botëror Katar 2022. Sipas mediave saudite, bisedimet mes drejtuesve dhe teknikut francez kanë përparuar.
Klan News