Vendet e NATO-s do të vendosin avionë patrullimi dhe drone në Detin Baltik për të ndihmuar në mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe për të ndërmarrë veprime kundër anijeve të dyshuara dhe që mund të kërcënojnë sigurinë.
Udhëheqësit e lartë u mblodhën në Helsinki për të diskutuar mbi sigurimin e Detit Baltik në përgjigje akteve të sabotimit ndaj kabllove të telekomunikacionit dhe energjisë. Aty ranë dakort të zhvillohet një operacion i përbashkët i quajtur “Baltic Sentry”.
“Ruajtja e infrastrukturës sonë është me rëndësi të madhe. Jo vetëm që është thelbësore për furnizimin me energji, por më shumë se 95 % e internetit sigurohet nëpërmjet kabllove nënujore. ‘Baltic Sentry’ nën komanden e Gjeneral Christopher Cavoli do të jetë një aktivitet ushtarak që synon të rrisë vigjilencën tonë në Balltik”, tha Mark Rutte.
Policia finlandeze muajin e kaluar sekuestroi një cisternë që transportonte naftë ruse dhe tha se dyshonte se anija kishte dëmtuar linjën e energjisë finlandeze Estlink 2 dhe katër kabllo telekomunikacioni.
“Kapitenët e anijeve duhet të kuptojnë se kërcënimet e mundshme ndaj infrastrukturës sonë do të kenë pasoja, duke përfshirë konfiskimin dhe arrestimin. Kjo do të çojë në zbulimin e kërcënimeve dhe do të pengojë agresionin”, tha Mark Rutte.
Presidenti i Finlandës Alexander Stubb tha se duhet të kryhen studime të mëtejshme për të vlerësuar se cilat masa mund të merren kundër anijeve të dyshuara duke ruajtur rregullat e lirisë së lundrimit. Nga ana tjetër kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit u shpreh se anëtarët e NATO-s po shohin mundesine per te vendosur sanksione për të mbrojtur infrastrukturën e rajonit.
Klan News