274 kandidatë në garë për të qenë në krye të një prej 48 komisariave të policisë në vend kanë përmbyllur këtë të martë fazën e intervistimit nga Komisioni i Vlerësimit të Aplikantëve. Ky proces nisi më 5 Dhjetor me 26 të interesuarit e parë, sipas rendit alfabetik, për të vijuar për 6 ditë me radhë.

Në fazën e intervistimit, kandidatët me gradën nënkomisar, komisar dhe kryekomisar në 20 minuta shpalosën platformën e tyre si dhe iu përgjigjën pyetjeve të komisionit, në përbërje të së cilit ishin tre drejtuese në radhët e Policisë së Shtetit.

Tashmë me përfundimin e këtij procesi, komisioni pritet të publikojë brenda kësaj jave vlerësimin me pikë për secilin prej garuesve. Më pas, kandidatët që kanë pretendime lidhur me vlerësimin e marrë, kanë dy ditë afat për të ankimuar rezultatin e komisionit.

Sipas rregullores, përzgjedhja e shefave të rinj të komisariateve bëhet mes aplikantëve që janë vlerësuar me mbi 70 pikë. Emrat e rinj të 48 komisariateve zgjidhen nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, proces ky që sipas burimeve pritet të përfundojë brenda javës së ardhshme.

Tv Klan