Ndërtuan laboratorin e heroinës në Has, 24 persona të pandehur
Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim një nga fraksionet e dosjes së famshme 339. Dosja me 24 të pandehur, mes të cilëve anëtarë të grupit të Avdylajve të Shijakut si dhe të dyshuarit për laboratorin e drogës në Brenog të Hasit.
Vendimi është marrë nga gjykatësja Irena Gjoka, e cila një muaj më parë ia ktheu dosjen prokurorisë për hetime të mëtejshme. Të pandehurit e kësaj dosjeje akuzohen për një sërë veprash penale mes të cilave “Trafik i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Pastrim parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas Prokurorisë, ata janë përfshirë në role të caktuara në trafikim të drogës nga Shqipëria drejt Italisë, si edhe për përgatitjen e heroinës në laboratorin e ndërtuar në fshatin Brenog të Hasit.
Laboratori u zbulua në sajë të operacionit “VolVo 4”, në tetor 2018, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme heroine. Laboratori ishte ngritur në një zonë të thellë malore, brenda dy kapanoneve që më parë, përdoreshin si stalla për bagëtitë.
Sipas hetimeve ka rezultuar se, ideatori i ndërtimit të laboratorit dyshohet se është biznesmeni nga Tirana Admir Hoxha, që është ende në kërkim.
Tv Klan