Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka shpallur të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni i bisedave të EncroChat, të cilin e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit. Gjykata e Strasburgut, mori në shqyrtim kërkesat e dy të dënuarve në Britaninë e Madhe nga përgjimeve në këtë aplikacion, që ti konsideronin këto prova si të paligjshme, dhe doli me një vendim përfundimtar se kërkesa e tyre është e papranueshme.

Në argumentimin e gjykatës, thuhet se kërkuesit, nuk kishin kundërshtuar efektivisht urdhrin e transferimit të të dhënave nga Franca, të marrë në bazë të Urdhrit Evropian të Hetimit të lëshuar nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar.

Duke marrë parasysh se ankuesit nuk e kishin përmbushur kërkesën për të “shterruar” mjetet juridike të brendshme, Gjykata e shpalli kërkesën e tyre të papranueshme, duke i konsideruar të ligjshme përgjimet e EncroChat dhe të ligjshëm vendimin që është marrë ndaj tyre. Personazhe të botës së krimit do të kenë vështirësi pas këtij vendimi, pasi në shumë vende janë ndërmarrë aksione ndërkombëtare bazuar në bisedat e zbërthyera nga Enchro dhe Sky.

Madje ky vendim i Gjykatës së Strasburgut do të ketë impakt edhe në Shqipëri, pasi janë kryer shumë hetime nga SPAK, bazuar në bisedat e zbardhura në Francë nga këto aplikacione.

Në Shqipëri, një prej personazheve të arrestuar, investitori strategjik Pëllumb Gjoka, ka bërë një padi në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon rrëzimin e provave të SPAK në lidhje me përgjimet e EncroChat.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut, më poshtë:

Klan News