Pas SKY dhe EncroChat, një tjetër aplikacion i enkriptuar i quajtur MATRIX është zbërthyer nga Europol. Nga të dhënat e bëra publike, ky aplikacion ka gjetur përdorim nga grupet kriminale, në shumë vende të botës. Referuar detajeve të bëra publike nga vetë Europol, Matrix përdorej nga rreth 8 mijë persona dhe përmes tij janë shkëmbyer rreth 2.3 milionë mesazhe në 33 gjuhë të ndryshme.

Ai përbëhej nga më shumë se 40 serverë në disa vende, ku pjesa më e madhe e tyre gjenden në Francë dhe Gjermani.

Zbërthimi i kësaj platforme erdhi pas 3 muajsh monitorime që autoritetet ndërkombëtare të udhëhequra nga EUROPOL i bënë këtij aplikacioni teksa përmes tij shkëmbeheshin mesazhe të koduara nga përdoruesit e saj.

Mesazhet që u përgjuan lidhen me krime të rënda si trafiku ndërkombëtar i drogës, trafiku i armëve dhe pastrimi i parave.

Mënyra e përdorimit të saj ishte thuajse e ngjashme me aplikacionet e tjera të enkriptuara, ku përdoruesit e këtij aplikcioni i bashkoheshin shërbimit vetëm nëse merrnin një ftesë nga një përdorues më i hershëm.

Zbulimi i këtij aplikacioni u bë rreth 3 vite më parë kur autoritetet hollandeze, konstatuan përdorimin e kësaj platforme në celularin e një të dënuari për vrasjen e një gazetari në 2021.

Tv Klan