Apeli i Gjykatës se Posaçme ka hequr sekuestron e vilës në pronësi të nënës së Monika Kryemadhit, ndërsa banesa e kësaj të fundit do të vijojë të jetë nën sekuestro.
Deputetja theksoi për mediat se çështja hetimore do të përfundojë në Strasburg.
“Gjykata ia liroi banesën e saj, ndërsa për mua është në sekuestro dhe unë do të vazhdoj të bëj rekurse në Gjyaktën e Lartë. Për banesën time dhe të mamasë sime, janë të dyja të përfituara, vetë prokurori e pranoi, të dyja të përfituara në mënyrë të ligjshme, por ka një avantazh që unë futem pak më pa radhë se mamaja ime në Gjyaktën e Strasburgut”, tha Monika Kryemadhi.
Për deputeten Kryemadhi, hetimet në ngarkim të saj vijnë për shkak të denoncimit që ka bërë për çështjen e inceneratorëve.
“Është e gjitha një hakmarrje sa i përket inceneratorit të Tiranës”, tha para gazetarëve deputetja.
Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj Kryemadhit, masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Ajo po hetohet për tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet edhe ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg.
Klan News