Jashtë shtëpisë së Mama Cointa-s, ku ajo ka jetuar pothuajse gjatë gjithë jetës, të ftuarit janë mbledhur për të festuar ditëlindjen e saj të 101-të. Miku i saj Victor i mban dorën që i dridhet ndërsa ajo nuhat aromën e një buqete me lule.

Mama Cointa, 101 vjeç

Djali i saj Don Amado fut vizitorët brenda shtëpisë së tyre. “Shtëpia jonë është e fundit e këtij lloji këtu,” thotë Amado. Pa dritare, si kasolle me kashtë. Kështu duket shtëpia ku u rrit Chavez Velazco ose ndryshe Mama Cointa në fshatin Tecoyame në Oaxaca. Pavarësisht se ngjan interesante dhe e pazakontë, ndryshimet e motit mund të jenë fatale për këtë lloj shtëpie. E nisim me këtë rast, për t’u njohur me miliona banorë të tokës latine, për të cilët mbase nuk kishit dëgjuar kurrë më parë!

“Të lënë në harresë”

E njohur si “El Redondo”, shtëpia e Mama Cointa-s është një ‘ikonë’ e Costa Chica-s, bregut i cili shtrihet afërsisht 400 km në dy shtete. Në këtë zonë me afro 130 milionë banorë jetojnë pjesa më e madhe e afro-meksikanëve.

Meksika nuk ka pasur sezonin më të mirë të shirave, gjë që ka shkaktuar thatësira intensive e plasaritje të tokës, sidomos në Tecoyame. Edhe në ato ditë kur ka reshje, sasia e madhe e ujit bën që të dobësohen themelet e “shtëpive të fshatit”. Kjo sepse ato janë të ndërtuara me baltë, rërë dhe një çati që në përbërje ka hardhi, palma, kashtë e disa trarë druri.

Shtëpia e Mama Cointa-s

Po kur u ndërtua për herë të parë një shtëpi e tillë? Thuhet se ato datojnë që prej ardhjes së skllevërve afrikanë në Meksikë, në shekullin e 16-të. Ishin pushtuesit spanjollë që i dërguan shumë prej tyre në tokën latine. Një pjesë e tyre shpëtuan nga prangat e pronarëve, duke u arratisur në zona rurale apo pranë bregdetit. Tecoyame është vendi ku ata më së shumti gjetën “strehë”.

Zbulimi i ‘perlës së zezë’ të Meksikës

Guzman jeton 30 km në veri të Tecoyame në Cuajinicuilapa, një nga qytetet më të mëdha në Costa Chica. Ajo është shtëpia e 27 mijë njerëzve, nga të cilët 75% identifikohen si afro-meksikanë. Cuajinicuilapa është një qytet si asnjë tjetër në Meksikë.

Cuajinicuilapa, Meksikë

Nuk vizitohet shumë nga turistët dhe madje është i panjohur për pjesën tjetër të vendit. Është si një qytet i pavarur me popullsi afro-meksikane. Vendasit e quajnë atë “perla e zezë” e Meksikës, pasi sipas tyre çdo gjë është e paprekur dhe dominon natyra në çdo dimension. Ushqimi është pikant, i ngjashëm me pjatat që gatuajnë pjesa e Meksikës jugore, por padyshim ka një miksim me kuzhinën afrikane.

Përshembull, bananet e skuqura që serviren me qumësht shpesh konsumohen me peshk pikant apo me petulla misri, tamales, midhje. Ka një kombinim të çuditshëm, të dy kulturave.

Peshku është një element shumë i rëndësishëm për jetesën në këtë qytet. Qindra kilogramë peshk shumëngjyrësh kapet prej peshkatarëve në orët e para të mëngjesit, e më pas u shiten restoranteve në pikat më të njohura turistike si Acapulco dhe Puerto Escondido.

Përpos ushqimit, kërcimi i banorëve është unik. “Danza de los Diablos”, ose ndryshe “vallja e djajve” është tipik kërcim i afrikanëve që kanë vuajtur skllavërinë. Është si një lutje që ata i bëjnë perëndisë afrikane Ruja për liri. Sigurisht, sot ky lloj kërcimi ka njohur evoluim. Banorët performojnë në shumë evente si një mënyrë për ta njohur origjinën e tyre.

100 vjet vetmi

Megjithatë, izolimi i rajonit si gjeografikisht ashtu edhe politikisht, i ka lënë afro-meksikanët me pak mbështetje. Përshembull një nga muzetë e historisë afro-meksikane po përgatitet për mbyllje, pasi nuk financohet.

Muzeu afro-meksikan në Cuajinicuilapa, i hapur në 1999

E njëjta gjë mund të thuhet për shtëpinë e Mama Cointës. Në mungesë të shiut, dheu po forcohet dhe plasaritjet sa vijnë e thellohen. Vjelja e perimeve dhe frutave që siguron jetesën e 4 brezave të familjes është në rrezik pasi kushtet klimatike po përkeqësohen. Ekonomia e shumë familjeve është në kolaps…

Duhet theksuar se vetëm në 2015-ën, qeveria i regjistroi si afro-meksikanë ose banorë të Meksikës me origjinë nga Afrika. 4 vite më vonë aktivistët siguruan një amendament kushtetues për të shtuar afro-meksikanët në listën kombëtare të 69 identiteteve të ndryshme kulturore. Megjithatë, ka shumë diferencime kur vjen puna te kujdesi shëndetësor, arsimi apo projektet kulturore.

E.D/tvklan.al